Nga Ervin Lera*
Presidenti i Republikës time u përgjunj para meje… o sa mirë…, unë u ndjeva më mirë se të gjithë shtatë miliardë banorët e tjerë të planetit.
Në krahun tim, kur presidenti i Republikës time u përgjunj para meje ishte edhe Kreu i opozitës së vendit tim… o sa mirë…, unë jam i barabartë me një figurë të rëndësishme publike dhe politike të vendit tim.
Pas krahëve të mi, kur presidenti i Republikës time u përgjunj, ishte edhe kryetari i qeverisë së Republikës time…, o sa mirë…, unë jam i përfaqësuar edhe në të kundërtën time.
Në krahun tim kur presidenti I Republikës time u përgjunj, ishte edhe një fqinji im, bashkëqytetar i imi…, o sa mirë…, fqinji im e gjeti rrugën e zgjidhjes së halleve të tija.
Në të gjitha televizionet dhe mediat, asetet morale kombëtare të Republikës time, u pasqyrua gjesti përgjunjës i Presidentit të Republikës timë, aksioni mbështetës i opozitarëve të Republikës timë, përbuzja qeverisëse e Republikës time, … dhe unë u habita (u çorodita, më mirë ta them në zhargonin e rrugës, u trasha fare), por, aq sa brohorita edhe shava edhe blasfemova, por nuk e përmenda Republikën time.
Të gjitha padrejtësitë, poshtërsitë, tradhëtitë Republikëse të vendit tim u demaskuan nga figura dhe personalitete të Republikës dhe unë mendova…, o sa mirë…, mua nesër do më rritet rroga, do më përmirësohet në përsosmëri shërbimi shendetësor, do më përmirësohet shërbimi arsimor për fëmijët e mi dhe do më vlerësohet kudo ndën planet modeli i shkëlqyer i Republikës time…
Të gjitha hipokrizitë, kamuflimet politike dhe depersonaliteti njerëzor i të padenjëve të Republikës time u demaskuan dhe unë u ndjeva… i habitur, (në zhargonin popullor, i trashur), me qëndrimin tim. Me Bibël e me Kuran, jam mësuar dhe përpiqem ta bëj çdo ditë; – O Zot, falmi mua mëkatet ashtu si unë i fal mëkatarëve të mi-…, O Zot, më ndje, kështu po mësoj e po bëj, më ndje sepse edhe unë kam të drejtën të flas në emër të Republikës time.
Më joshën të dal në bulevardin që dikur e quaja “Xhiro” dhe u nisa të dal, për të kërkuar… çfarë?!
Më bënë të qesh për të refuzuar të dal në bulevardin që dikur e quaja “Xhiro”, për të injoruar… çfarë?!
Pashë njerëz me flamuj, pashë edhe personalitete të nderuara të Republikës time në bulevardin që dikur e quaja “Xhiro” dhe, mendova, unë nesër do të jem si një qytetar gjerman, zvicerian, francez etj etj në Republikën time… dhe, unë nuk e di ende se çfarë jam në Republikën time…, po dëgjoj dhe jam tulatur para ekranit ku ndjek mediat e Republikës time dhe, nuk po zgjedh dot; a të zgjedh dhe kë të zgjedh?
Më kërkojnë të luftoj korrupsionin, në bulevardin që dikur e quaja “Xhiro”, ndërkohë që edhe unë kam paguar dhe paguaj bakshish për të marrë një shërbim dhe, unë e bëj…?
Më kërkohet që nga njëra anë të mbroj Kushtetutën e Republikës time dhe, nga ana tjetër ta shkel Kushtetuën e Republikës time dhe unë e bëj…, por a e di unë se ç’është Kushtetuta e Republikës time?…, jo, as fare, unë nuk e di dhe as nuk do të mund ta mësoj se ç’është Kushtetuta e Republikës time.
O zot a kam unë një Republikë timen?, ndjesë për blasfeminë O Zot, në djall Republika ime. A kam apo jo unë një të ardhme timen?, O Zot, a ndërhyn dot ti i gjithpushtetshmi, të orientosh Republikën timë laike dhe të mendojë për mua?, O Zot, i gjithpushtetshmi në këtë jetë dhe në tjetrën, a i hesht dot Ti njerëzit që më gënjejnë?, O Zot, i gjithpushtetshmi, a e bën dot ti që Republika imë të jetë edhe e imja dhe, unë dua që Republika ime të jetë kopshti im i Edenit?…
Më ndje O Zot, nuk dua asgjë nga këto.
Më ndje O Zot, të gjitha këto unë i kam dhe mi japin të gjithë ata që unë shoh, dëgjoj, ju bindem, mbështes dhe kundërshtoj.
O Zot, pa përfshirë zgjedhjet, pa dënuar dhe ndëshkuar askënd, pa hequr dhe pa vënë askënd nga një post dhe në një post, a ma rrit dot rrogën time?, a ma përmirëson cilësinë e jetës time?, a e përmirëson dot sistemin e kujdesit shëndetësor dhe arsimor?
O Zot, unë të besoj dhe të bindem vetëm Ty, Republika ime… po më gënjen, po më mashtron, po zhvat, po më verbon, po më shurdhon…, po ti a ekziston vërtetë, sepse ti je e vtmja shpresë e imja në Republikën time…
*Regjizor