Policia Kufitare e Kapshticës ka sekuestruar mbi 1.5 milionë lekë të reja dhe ka proceduar penalisht poseduesin e tyre, pasi nuk i deklaroi në kufi.
Në kuadër të masave të përbashkëta të marra nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe autoriteteve doganore, për rritjen e masave në drejtim të forcimit të kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, është evidentuar dhe goditur një rast i transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në çantën personale të shtetasit E. D., 38 vjeç, banues në fshatin Pezë, Tiranë, i cili do të udhëtonte për jashtë vendit Policia Kufitare në bashkëpunim me doganën, i gjet e sekuestroi në cilësinë e provës materiale vlera monetare në lekë, euro dhe paund, të cilat kapin vlerën 1.580.000 lekë.
Në përfundim të veprimeve materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. /e.s/