“Ditën e djeshme u testuan edhe 6 raste të dyshuara që kanë rezultuar negative për COVID-19. Deri tani janë testuar 42 raste në laboratorin e IShP dhe Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri”.
Në mbledhjen e radhës së Task- Forcës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri 24/7 dhe ritheksoi se nga ana e stukturave shëndetësore duhet të ketë vigjilencë maksimale.
“Po bëhet një punë voluminoze, intensive në pikat kufitare për të kontrolluar çdo udhëtar. Mbështes punën e Urgjencës Kombëtare që po bëjnë një punë të lavdërueshme jo vetëm për pritjen e telefonatave por edhe marrjen e kampioneve në shtëpi. QSUT dhe “Shefqet Ndroqin” për gatishmërinë. Nga ana tjetër dua të siguroj se vijon puna për shtimin e stokut të nevojshem për mjetet e mbrojtjes personale për ekipet mjekësore në spitale për marrjen e masave për çdo përballje”, deklaroi Manastriliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se pas urdhërit për përforcimin e higjienës në shkolla, MSHMS i ka kërkuar me një shkresë të posaçme bashkive dhe shërbimit të aviacionit civil të rrisin masat higjieno-sanitare.
“Pas urdhrit për shkollat dhe rekomandimeve të vazhdueshme për rritjen e masave të higjienieno-sanitare në strukturat spitalore, Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar me një shkresë edhe bashkive dhe shërbimit të aviacionit civil të rrisin masat higjieno-sanitare në linjat urbane dhe linjat e avionëve. Çdo masë e tillë, duke nisur nga higjiena personale është shumë e rëndësishme për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri”, u shpreh Manastirliu.
Në takimin e Task-Forcës ka qenë i pranishëm drejtori i OBSh në Shqipëri, Raul Gonzales i cili ka vlerësuar masat e marra nga Shqipëria.
“Pse nuk ka raste në Shqipëri? Ne si OBSh ju themi se duhet të besoni institucionet. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe e përgëzojmë për transparencën, tha Raul Gonzales, drejtori i OBSh në Shqipëri.
Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënderj Brataj, gjatë raportimit në mbledhjen e Task-Forcës, tha se Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka skeduar 694 raste me skedën korona.
“Kemi skeduar 694 raste me skedën korona. Jemi të organizuar me ekipet tona që pasi vlerësohet rasti, shkojmë me personelin e kualifikuar dhe mjetet mbrojtëse në vendngjarje dhe e transportojmë sipas protokollit në spitalin infektiv”, tha Skënder Brataj, drejtori i urgjencës kombëtare.
Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh në raportimin në Task-Forcë se, në spitalin infektiv nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë nga gripi apo rastet e dyshuara nga koronavirusi.
“Në spitalin infektiv nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë nga gripi apo rastet e dyshuara nga koronavirusi. Jemi në gatishmëri me ekipet mjekësore dhe masat për oksigjieno-terapinë për të përballuar skenarët nga rasti 1 e në vijim”, tha prof. Najada Çomo, shefe e shërbimit infektiv.
Duke falenderuar median për pasqyrimin e situatës, Ministrja Manastirliu kërkoi që qytetarët t’i referohen burimeve zyrtare.