Nga Mero Baze
Ka një përpjekje për ta prekur në sedër Lulzim Bashën dhe demokratët në përgjithësi, për faktin se i mbushën sheshin Ilir Metës më 2 mars. Shumë prej tyre ndjehen të pasigurtë në atë që kanë bërë. Të tjerë, kryesisht kundërshtarët socialistë, duan t’u krijojnë kompleksin e protestuesve të keqpërodrur.
Por më së shumti sulmet janë mbi Lulzim Bashën, duke tentuar ta paraqesin atë si një lider të rrezikuar nga Ilir Meta.
Edhe pse të gjitha hamendjet kanë plot të vërteta brenda tyre, demokratët dhe kryesisht Lulzim Basha, nuk duhet të kompleksohet nga kjo gjë. Kjo është një lëvizje politike e Ilir Metës, i cili kërkon ta marrë personalisht përgjegjësinë mbi suksesin e saj. Roli i Lulzim Bashës dhe demokratëve, është thjesht t’i japin një publik hua. Dhe këtë duhet ta bëjë.
Suksesi i Ilir Metës do të jetë më i madh sikur Lulzim Basha t’u jap shenjë demokratëve të mos shkojnë më në mitingun e tij. Aq më tepër që kjo do ta përplasë me Sali Berishën, i cili, siç e shikoni, 5 mijën e bën 500 mijë, vetëm që të kuptohet se ajo është rruga e duhur.
Ndaj Lulzim Basha duhet t’i japë shansin Ilir Metës ta konsumojë këtë betejë, qoftë dhe me ushtarët e tij.
Ai vet konsumoi pranverën që shkoi një nga betejat më radikale në historinë e politikës shqiptare, betejë që pati brenda akte të mëdha kamikazllëku politik, siç ishte djegia e mandateve dhe dorëzimi i 61 bashkive.
Në fund nuk ja doli dot falë dhe ndërkombëtarve, që u bënë bllok kundër kësaj rruge revolucionare.
Tani këtë rrugë për hallet e veta dhe arsye tërësisht personale, kërkon ta provojë Ilir Meta.
I duhet dhënë ky shans ta provojë.
Lulzim Basha do gabonte nëse ja tërhiqte njerëzit nga rruga. Do të gabonte pasi do të perceptohej si lider i dobët, që ka frikë Ilir Metën dhe rivalitetin e tij, dhe akoma më keq, Ilir Meta do të perceptohej si zgjedhje e re e Berishës, që ja dëgjon fjalën për përmbysje revolucionare.
Zotësia e Bashës do të ishte ta shtynte Ilir Metën deri tek shpërndarja e Parlamentit. Ta konsumonte dhe ai një akt radikal, që të plotësonte pamjen e përgjithshme të këtij skenari të marrë.
Vetëm kështu do të kemi një mundësi të verifikojmë se kush di ta marrë pushtetin me force, dhe kush nuk di. Ndryshe kjo do të jetë një betejë pa bilanc.
Në një situatë të tillë, nëse Lulzim Basha i jep shansin Ilir Metës ta lërë në gjysëm këtë rrugë, duke fajësuar atë, do të jetë më keq për Bashën. Biles në këtë pikë, po investohen gabimisht socialistët.
Rruga më e mirë është që ta ndihmojnë Ilir Metën të hedhë hapin e fundit, që thotë se do të hedhë. Dhe kur je një hap larg greminës, hapi i fundit ka shumë rëndësi.