Skënder Gega dhe Kukësi ndalen sërish tek detajet, ish trajneri i Partizanit dhe klubi verilindorë nuk arrijnë të konkretizojnë me një marrëveshje zyrtare negociatat që nisën menjëherë pas shkarkimit të Shpëtim Duros. Prezantimi i Gegës ishte programuar për këtë të diele në orën 16:00, prezantim i cili do të bëhej nga vetë presidenti i nderit, Safet Gjici.
Urdhër i dytë shfuqizon të parin dhe me një njoftim për mediat klubi i Kukësit ka njoftuar se trajneri i ri nuk do të prezantohet por ekipin do ta drejtoj provizorisht Rrahman Hallaçi. Ish kapiteni rikthehet shumë shpejt në klubin ku arriti gjithçka, një ikonë që qetëson tifozët.
Burime të sigurta për News24 bëjnë me dije se trajneri i ri i Kukësit do të jetë Orges Shehi, të paktën kjo është preferenca e parë e presidentit Gjici. Nëse gjëra nuk ndryshojnë në momentin e fundit, ashtu siç ndodhi dhe me Gegën, prezantimi i Shehit do të bëhet menjëherë sapo ish trajneri i Skënderbeut të kthehet nga Spanja ku prej 2 javësh ndodhet për një kurs trajnimi. News 24