Për të gjithë ata qytetarë që kanë pasur dy banesa dhe vetëm njëra prej të tyre është dëmtuar nga tërmeti, nuk do të ketë kompensim për tjetrën. Kështu deklaroi ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj.
Në një intervistë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ , Ahmetaj tha se qeveria nuk ofron në këtë rast kompensime, por vetëm strehim të banorëve që janë prekur rëndë nga tërmeti dhe rezultojnë pa banesa.
Si po shkon procedura e mbledhjes së dokumentacioneve për procesin e rindërtimit?
Procesi i rindërtimit ka filluar që një ditë pas rënies së tërmetit. Në 30 sekonda Shqipëria humbi 7.5 % të prodhimit të Brendshme bruto dhe shumë jetë. Shoku i goditjes ekonomike nuk është larguar. Nuk jemi vetëm, se nuk lamë asnjë qytetar vetëm. Nuk jemi vetëm, se s’na la vetëm BE. Ky proces do të bëhet mbi një procedurë transparente ligjore. Çdo qytetar që ka humbur shtëpinë vet, do të marrë falas një shtëpi. Ky është një proces unik. Do ndërtojmë rreth 4500 shtëpi. Ka infrastrukturë kritike që do të ndërtohen. Janë mbi 45 shkolla që do të rindërtohen, 15 kopshte dhe shumë ndërtesa publike. “Ne formatojmë shtëpitë tona, dhe më pas shtëpitë tona nga formatojnë ne”, tha Curçill. Është proces i gjatë, janë 1.15 mld euro të ofruara. Janë rreth 350 mln grantë dhe pjesa tjetër është kredi që do të vihet në shërbim të rindërtimit.
Cili do të jetë roli i ndërkombëtarëve në lidhje me grantet që përfitoi Shqipëria?
Roli do të jetë, rol i partnerit në çdo gjë. Që nga transparenca, që nga llogaritjet. Javën që vjen, të mërkurën, do të kemi një takim ku do të hapim donacionet. Do të ketë ekspert në filtrimin dhe propozimin për vendimmarrje në Komisionin e Rindërtimit. Projekti dhe programi është i auditueshëm në tre nivele. Çdo gjë do të jetë në ‘dritën e diellit’. Javës që vjen, do hapet prokurimi ndërkombëtar i njësive individuale. Do jetë në ‘dritë të diellit’.
S’janë të paktë qytetarët që kanë apartamente në Tiranë dhe në Durrës. Si do të funksionojë për ata që njëra prej këtyre banesave është dëmtuar?
Nëse ke dy banesa, dhe njërën e ke të dëmtuara nga tërmeti, këtu nuk përfiton nga rindërtimi. Këtu nuk jemi duke kompensuar qytetarët, por duke ofruar një program strehimi për ta. Nuk jemi duke kompensuar qytetarët që kanë dy shtëpi dhe njëra i është dëmtuar dhe tjetrën e ka për bukuri. Ne po japim strehim atyre që kanë nevojë, dhe jo për ata që kanë 100 metra në Tiranë dhe 100 metra diku tjetër, dhe t’i japim një shtëpi. Kjo do ishte padrejtësi. Nëse keni një shtëpi të dëmtuar në pronësi, dhe një tjetër të padëmtuar, nuk përfitoni.