Nga Mentor Kikia
Sa shumë ngazëllim me rastin e vdekjes së Nexhmije Hoxhës! Njerëzit uronin njëri-tjetrit si për një ditë feste.
Sa mirë, shpëtuam nga një njeri i lig. Shkoftë ne ferr, ndoshta ka një vend pranë burrit tënd.
Shtrigë…Pa prisni! Çfarë po na bënte Nexhmija neve?
Po na pakësonte oksigjenin, apo kishte rrezik të përhapte koronavirusin?
E pse u gëzuam kaq shumë se vdiq një plakë gërdallë?
Unë as u hidhërova, as u gëzova!
Çfarë bëmë ne si popull, kur Nexhmija ishte e re dhe kishte fuqinë të na vinte shkemin në fyt, të na thante zorrën për bukë, të na fuste në burg, të na bënte ç’të donte? Ne e duartrokitëm shumë fort.
Çfarë bëmë ne kur vdiq i shoqi? Qamë sa u zhgërryem rrugëve nga ngashërimi.
Çfarë bëmë ne kur u përmbys komunizmi? Votuam ca komunistë të tjerë për të na qeverisur.
A i dënuam ne krimet e komunizmit? Jo!
A i dënuam në komunistët që na kishin shtypur e vrarë? Jo! Edhe një palo gjyq që u bë, ishte një komedi e zezë.
A i larguam ne koministët nga pushteti? Jo, thjeshtë i konvertuam.
Dënimi më i madh që u bëmë ishte t’i përzinim kriminelët nga vilat e Bllokut, se na diheshin për lokale droge.
Ne nuk ishim ne gjendje të bënim asgjë, as kur Nexhmija ishte në pushtet, as kur Nexhmija shkoi tek pularia.
Ne kemi 30 vjet që nuk bëjmë dot asgjë për të rrëzuar apo zëvendesuar një qeveri, kur ajo na vjedh e na zhvat.
Ne thjeshtë presim që ajo të ike. Ne presim që ajo të vdesë.
Ne nuk e zëvendësojmë dot udhëheqësin e keq, thjeshtë presim që ai të mërzitet e të ikë.
Ja pse u gëzuam kaq shumë që vdiq Nexhmija, tani kur edhe ajrin e merrte me pikatore.
Shkoni mbushuni të tërë ju të ngazëllyer. Nexhmija jetoi sa deshi e si deshi e vdiq “kur deshi”, ndërsa ne do të presim të gëzohemi kur të vdesin Nexhmijet e tjera që na kanë hyrë në hak po kaq shumë, sa edhe Nexhmija që vdiq dje.