Akademia e Arteve do të trefishojë hapësirat e saj, duke ofruar kushte më të mira për të rinjtë që studiojnë Muzikë, Arte të Bukura dhe Art Skenik. Lajmin e mirë e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me këngëtaren e njohur, Kejsi Tola, iu bashkuan nismës për mbjelljen e 100 pemëve të reja në Parkun e Liqenit Artificial.
“Lajmi i mirë është që kryeministri i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të udhëheqë projektin për pjesën shtesë të Akademisë së Arteve. Kemi një arkitekt fantastik si Mario Casamonti, që bëri stadiumin, i cili tani që ka rënë pak cinizmi dhe skepticizmi për punët e mira, do të bëjë shtesën që 3-fishon hapësirën e arteve; pra, ruhet e gjithë pjesa e vjetër, por kjo pjesa karakatinë me shtesa dhe e lënë pas dore do të zëvendësohet nga një hapësirë e re. Me Teatrin, me Akademinë e Arteve, me stadiumin, me sheshin, me pazarin, me Kalanë, me bulevardin, me liqenin, jemi një qytet përsëmbari”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi këngëtaren e talentuar Kejsi Tola jo vetëm për atë që jep në muzikë, por edhe për ndjenjën e lartë të përgjegjshmërisë qytetare.
“Jam shumë i lumtur që një supergocë e qytetit tonë, një superartiste, por mbi të gjitha një super qytetare si Kejsi Tola, iu bashkua fushatës sonë të mbjelljeve. Më kujtohet kënga e Kejsit ‘Më ke mua’ dhe pyetja për të gjithë ne është: Na ka ne Tirana? Mund t’i themi Tiranës më ke mua? Më ke mua për pastrim, gjelbërim? Më ke mua për t’u kujdesur për mirëmbajtjen? Nëse secili prej nesh i thotë Tiranës më ke mua, pra jam çuni e goca jote, për ta ruajtur si një zonjë të fisme, atëherë sigurisht mund të kemi qytet fantastik”, shtoi ai.
Veliaj shprehu besimin se Bashkia e Tiranës edhe këtë vit do të arrijë të mbjellë 100 mijë pemë të reja, ku një vëmendje e posaçme i është kushtuar lumit të Tiranës dhe zonës së Farkës.
“Jemi shumë afër edhe këtë vit për të kapur 100 mijë pemë. Një pjesë të madhe të mbjelljeve po e bëjmë tek lumi i Tiranës; pra, jemi zhvendosur nga jugu i liqenit, në veri te lumi i Tiranës, ku kufizohemi me Kamzën, ndërkohë që pjesa tjetër po vazhdon në Farkë, aty ku këtë vit do të fillojmë gjysmën e dytë të pedonales, për t’u siguruar që i lëmë Tiranës një tjetër park të madh për argëtim, çlodhje, dhe sport”, tha Veliaj.
Duke falenderuar të gjithë ata qytetarë dhe kompani që i janë përgjigjur thirrjes për të kontribuar në këtë nismë, ai theksoi se është momenti për të promovuar në shoqëri djem dhe vajza që kanë vlera.
Këngëtarja Kejsi Tola, e cila na ka përfaqësuar denjësisht edhe në Eurovizion, u bëri thirrje të rinjve të qytetit që të kontribuojnë për qytetin. Ajo zbuloi edhe një surprizë të saj: Ndryshe nga sa e kemi parë deri më tani, Tola do të vijë për publikun kryeqytetas me një koncert klasik, ndërkohë të ardhurat e siguruara do të shkojnë në formë burse për të plotësuar ëndrrën e një të riu.
“Zgjodha këtë vend sepse është shumë afër jetës sime; muzika është jeta ime dhe patjetër mendoj që ka edhe një vlerë tjetër, për Tiranën. Por, do doja në fakt që në datën 19 mars të dhuroja diçka nga shpirti im në një koncert që do organizoj. Në fakt, thelbi i motivit janë të rinjtë, të cilët mendoj se kanë shumë për të dhënë për Tiranën. Ne do dhurojmë një motiv, do doja ta quaja kështu, përveçse një burse”, tha këngëtarja.
Nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar mjaft personazhe të njohur që vijnë jo vetëm nga fusha e artit, por edhe e biznesit, sporteve, etj. /e.s/