Arsimi profesional në Elbasan fuqizohet me dy shkolla të reja dhe laboratorë me mjete moderne, që do të vazhdojnë të instalohen në mjediset e kësaj zone arsimore me rëndësi të posaçme për punësimin e të rinjve.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja vizitoi ambientet e shkollës së mesme profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan, si dhe inspektoi punimet për investimet e reja që po kryhen për ambiente të reja të laboratorëve moderne.
Lidhur me ambientet e reja për të cilat po punohet, një godinë ngjitur me të, Rama u shpreh se ajo duhet shpronësuar në mënyrë të tillë, që të funksionojë si një kampus profesional.
“Bëni një shpronësim këtu, t’i japim një shtëpi tamam këtyre dhe këto nuk kanë pse rrinë të ndara dhe bëhet një kampus komplet profesional”, tha ai.
Rama shtoi se “Bëjini një zgjidhje këtu. Më pas ta heqim murin këtu, që të bëhet një kampus”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se aktualisht “janë disa laboratorë të mbështetur edhe nga fondet IPA. Kemi një sallë e cila ndihmon në teknologjinë e Informacionit. Kjo shkollë ka marrëveshje me 200 biznese, shkolla tjetër me më pak, diku ke 100 dhe numri i nxënësve që dalin nga shkolla në vitin e parë 55% e tyre futen në tregun e punës që në vitin e pare. Mbase një pjesë vazhdon edhe arsimin e lartë. Por, ka një impakt të mirë që në vitin e parë, pasi dalin nga shkollat profesionale”.
Për pjesën në të cilën po investohet, Denaj shtoi se “një pjesë është në rikonstruksion. Janë 150 milion lekë nga buxheti i shtetit që janë akorduar vitin e kaluar. Shkolla është në përfundim dhe besoj që shumë shpejt, këtë sezon të ri të vitit shkollor, në shtator të vitit tjetër është gati”.
Kjo godinë e re që po ndërtohet, një pjesë e madhe e saj do të ketë laboratorë ndërkohë që mësimi në klasë do të vazhdojë tek godina e vjetër. Drejtimet e shkollave janë kryesisht drejtim teknik dhe hoteleri-turizëm. /e.s/