Klubi i Kukësit ashtu si Tirana ka reaguar për shkatërrimin e stolave në stadiumin Air Albania kur mbrëmë u zhvillua ndeshja e parë e vlefshme për javën e 23 të Superligës. Verilindorët dënojnë aktet e shkaktuara nga tifozët e tyre, por shtojnë se një grup prej tyre nuk mund të përfaqësojnë tifozët e Kukësit.
Sakaq, ka reaguar edhe klubi Tirana ka reaguar ashpër për vandalizmin që një pjesë e tifozërisë së saj ka kryer në “Air Albania Stadium”, duke dëmtuar 145 stola në takimin që bardheblutë fituan dje në mbrëmje kundër Kukësit.Klubi kryeqytetas, nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, mbështet nismën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe do të bashkëpunojë në identifikimin e përgjegjësve të dëmtimit të impiantit më modern të futbollit në vendin tonë
Reagimi i Kukësit:
Klubi i Kukësit dënon ashpër sjelljen e disa individëve që kanë shkaktuar dëme në stadiumin “Air Albania” duke thyer 19 stola dhe njëkohësisht duke dëmtuar imazhin por edhe financat e klubit. Këto individë, kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë tifozerinë tonë e cila ka treguar shpesh herë se është në krah të ekipit dhe nuk e ka dëmtuar por vetëm e ka mbështetur.
Një rezultat negativ nuk është fundi i kampionatit dhe sjellje të tilla, nuk e ndihmojnë aspak skuadrën për të ecur drejt objektivit titull. Klubi i Kukësit mbështet plotësisht organet përkatëse që kanë nisur hetimet për evidentimin e personave përgjegjës të cilët do të marrin edhe ndëshkimin në bazë të ligjit dhe rregulloreve.
Kukësi është i tifozëve dhe i tillë do të mbetet. Individë të veçantë nuk mund të prishin këtë lidhje, sepse mjafton fakti që jemi të detyruar të luajmë larg shtëpisë sonë. Bashkë jemi më te fortë!
Reagimi i Tiranës:
Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër aktet vandale të disa individëve mes tifozëve të Tiranës që kanë dëmtuar dje një numër të madh stolash në stadiumin “Air Albania”.Tifozeria bardheblu është pa diskutim një nga asetet më të çmuara që kryeqyteti ka, por të tilla akte dëmtojnë imazhin, klubin, impiantin modern ku po punojmë që futbolli të jetë një festë dhe çdo ditë e më tepër familjarë.
KF Tirana mbështet nismën ligjore të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të denoncuar pranë Policisë së Tiranës individët që kanë dëmtuar stadiumin. Materialet filmike do të dënojnë personat përgjegjes për këto shfaqje të shëmtuara, të cilat nuk kanë ndodhur dje për herë të parë, por në të gjitha ndeshjet e fundit në “Air Albania”.Ftojmë të gjithë tifozët bardheblu ti bashkohen kësaj nisme që i shërben qytetarisë dhe futbollit. Jo vetëm në “Air Albania” por në çdo stadium, aktet vandale nga individë të caktuar nuk meritojne të jenë pjesë e tifozerisë së mrekullueshme bardheblu.