Politikës korruptive me tenderat e ndjekur në këto 25 vite i duhet dhënë fund. Deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaçi për Ora News thekson se aksioni i Anti-informalitetit duhet te prekë edhe tenderimet, të cilat në këto vite kanë shkuar vetem per disa persona te caktuar.
Depueti i PS Artan Gaçi përforcoi akuzat e dy ditëve më parë të bëra në studion e Ora News në lidhje me korrupsionin me tenderat . Prej 25 viteve thotë ligjvënësi i majtë politika që është ndjekur me tenderat ka favorizuar vetëm një grusht njerëzish.
Sipas deputetit socialist sot është jetike formalizimi i ekonomisë dhe dhënia fund e shpërdorimit të parave publike. Anti-informaliteti sipas Z. Gaci duhet të prekë edhe tenderimet.
Gaçi: Mund t’i fitojnë të gjithë tenderat, mund t’i fitojnë edhe 10 veta të gjitha tenderat e këtij vendi, por të paktën minimalisht në këto kritere, ku vihen kritere se çfarë ngjyre duhet ta kesh këmishën që të fitosh tenderin, apo çfarë ngjyre duhet ta kesh kapelen. Mos ketë një kriter që sa % e këtyre parave që janë paratë e të gjithë shqiptarëve që shteti është investitori më i madh përfundojnë në Shqipëri. Ke njerëz që marrin prej vitesh tendera me qindra dhe miliona euro dhe nuk investojnë në asnjë aktivitet prodhues në asnjë aktivitet turistik, në asnjë aktivitet që gjeneron të mira për vendin.
Deputeti socialist Artan Gaçi thekson se qeveria tashmë ka ndërmarrë hapat e parë qe përmes prokurimeve online, t’i japë fund politikave korruptive e tenderat.
Gaçi: Mos bëjmë sikur nuk jetojmë të gjithë këtu. Ne vazhdojmë të jemi vendi më i korruptuar në Europë dhe kjo qeveri po merr të gjithë iniciativën dhe me investime në fushën elektronike për të minimizuar sa më tepër kontaktin fizik, i cili është një nga burimet e korrupsionit dhe po ashtu për të kaluar online të gjitha shërbimet në mënyrë elektronike për të eliminuar sa më shumë kontaktet që mund të gjenerojnë korrupsion.
Këto deklarata deputeti Gaçi i bëri pas mbledhjes së komisionit ku u zhvillua një seancë dëgjimore me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila u mbajt me dyar të mbylluara. Ky vendim i njëanshëm i drejtuesve të komisionit shkaktoi mjaft debate.