Nga takimi që pati këtë të premte me reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, kryeparlamentari Gramoz Ruçi iu përgjigj deklaratave të Presidentit Ilir Meta, i cili flet për gjysmëparlament.
Ruçi, shprehu mirënjohjen për rëndësinë që Parlamenti Europian dhe Presidenti Sassoli i kushtojnë integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si edhe e uroi asaj suksese në detyrën e saj si reportere për Shqipërinë.
Përsa i përket veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku Presidenti akuzon për gjysmëparlament, Ruçi deklaroi se Kuvendi është plotësisht funksional, me kuorum kushtetues dhe shumicat e nevojshme për të miratuar çdo ligj që kërkon shmumica të cilësuara.
“Për ne të gjithë është shumë impresionuese që në saj edhe të vizionit të Presidentit Sassoli dhe kontributit tuaj, Parlamenti Europian vazhdon të qëndrojë në pozicionin që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të çelen menjëherë, gjatë presidencës kroate. Natyrisht, çeljen e negociatave ne nuk e kuptojmë si një dhuratë, por si përmbushje e objektivave të vështirë, të cilët jo thjesht na janë dhënë si detyra shtëpie, por i kërkon procesi i integrimit europian. Ne nuk jemi dekurajura, por po punojmë më të gjjitha energjitë tona që të plotësojmë të gjitha standartet dhe kriteret e kërkuara. Kuvendi po punon për zbatimin e 6 objektivave dhe 44 masave të Planit të Veprimit për Integrimin, hartuar pas rekomandimeve të Këshillit dhe Komisionit Europian në vitin 2019”, u shpreh Ruçi.
Ai e informoi reporteren Santos mbi dy aspektet prioritare të punës së Kuvendit, reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore.
Duke evidentuar përparimin dhe arritjet në reformën në drejtësi, përfundimin e infrastrukturës ligjore dhe ecurinë e vetting-ut, Ruçi nënvizoi se tashmë fokusi ynë kryesor është ndërtimi dhe bërja funksionale sa më shpejt e organeve të reja të qeverisjes së sistemit, Gjykatës Kushtetuese, SPAK, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Përsa i përket reformës zgjedhore, kjo reformë tha ai, më në fund po realizohet si një proces konsensual dhe gjithëpërfshirës tripalësh: shumica parlamentare dhe qeveria, opozita parlamentare dhe opozita jo-parlamentare.
Konstituimi i Këshillit Politik është një instrument funksional dhe produktiv, për të mundësuar kurorëzimin e reformës në 15 mars dhe kjo me synimin për të garantuar një proces të rregullt e të barabartë zgjedhor; ashpërsimin e dënimeve për shitblerjen e votës; eliminimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe transparencën e listave të zgjedhësve.
“Jam e lumtur që po punojmë bashkë dhe po kontriboj për ecurinë e shpejt të rrugëtimit europian të Shqipërisë. Presim zhvillime pozitive në javët dhe muajt e ardhshëm. Unë i kushtoj një vëmendje maksimale bashkëpunimit me Kuvendin sepse parlamenti është zemra e një sistemi demokratik. Do të jem bashkë me ju në kapërcimin e çdo sfide që kemi përpara në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.”, nënvizoi reporterja Santos.
g.kosovari