Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është hasur me një incident, kur një i ri i ka ngritur zërin.
Kryeministri e ka marrë me sportivitet këtë situatë, pasi me batutë ia ka kthyer studentëve që ai ishte individi i parë ku ata mund të ushtronin profesionin.
“Arratisje…” u dëgjua një pjesë e të riut i cili foli nga vendi ku ishte ulur në mesin e qindra të pranishmëve. Ndërkohë kryeministri e ktheu përgjigjen me batutë.
“Është një individ në shërbimin tuaj që të filloni ushtrimin e profesionit sapo të hidhni kapelen, merreni edhe jepini recetën e duhur në kohën e barnave të rimbursueshme i merr falas dhe nesër është i kthjellët”, tha Rama.
Por teksa vazhdoi fjalimin duke folur për mbështetjen që qeveria u ka dhënë mjekëve të rinj, edhe përmes trajtimit me bonus mujor për ata që do të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre, i riu ndërhyri sërish.
“A e dini që studentët që arsimohen sot janë vetëm të pasur? Kam prerë biletën për t’u arratisur”, tha studenti.
Kryeministri Rama iu përgjgj: “Jepjani pra recetën atij tani. Ndërkohë që djalin duhet ta shoqëroni të marrë shërbimin e shpejtë mjekësor, pyetja që a e dini që studentët që arsimohen sot janë vetëm të pasur ka përgjigjen që kjo është e pavërtetë.
Sot ndryshe nga deri dje studentët janë të trajtuar më mirë se deri dje dhe këtë e dini të gjithë ju që jeni këtu dhe prindërit tuaj. Tek ata që janë të shkëlqyer ka plot që janë me vështirësi ekonomike”.