Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të fakteve të reja nga Presidenti i Republikës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gzment Bardhi tha se dokumentet e bëra publike janë tronditëse dhe se Qeveria, parlamenti, KED janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjësuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetueses.
Bardhi deklaron se kjo është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend.
“Tentativa kriminale e Edi Ramës për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese u çmontua sot me të tjera fakte të pakundërshtueshme nga Institucioni i Presidentit të Republikës. Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje.
Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetutese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, “Dokumentat e bërë publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë. Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend”.
/a.r