Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar një tjetër zonë të re për zhvillim pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar. “Shpalljen si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar të zonës 4, njësia administrative Durrës, Bashkia Durrës, zonë e re për zhvillim” thuhet në vendimin e qeverisë. Vendimi është miratuar me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Si në rastet e mëparshme, Fondi Shqiptar i Zhvillimi është caktuar si zbatues i projektit për ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike, realizimin e ndërtimeve në këtë zonë dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
Në datë 13 shkurt u miratuan dy zona të tjera për zhvillim në Durrës duke e çuar në total në tre numrin. Në 31 Janar ministri për Rindërtimin Arben Ahemtaj deklaroi se në total janë 18 zona ku do të ndërtohet pas tërmetit tragjik.
Ministri i Shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj tha dje në Report Tv, se donatorët janë të ftuar nga qeveria për të marrë pjesë në Komisionin Shtetëror të Ndërtimit me të drejtë vote, vendimet e të cilit më tej shkojnë për votim në Këshillin e Ministrave.
Tre ditë më parë Konferenca e Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, mblodhi 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende që morën pjesë në këtë konferencë për të shprehur solidaritetin ndaj Shqipërisë në përpjekjen për t’u ringritur pas tërmetit. /e.s/