Ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se nga 1.15 miliardë euro të mbledhura në Konferencën e Donatorëve, 295-300 milionë euro janë grante, ndërsa 850 milionë është kredi e butë të cilat do të shlyhen deri në 30 vite me interesa të vogla.
“Qytetarët shqiptarë do paguajnë ndër 30 vite nëpërmjet taksave të tyre. Kreditë që do merren për rindërtimin. Interesi do të jetë në çdo rast nën 2.25 %. Mund të ketë edhe në 2%, apo pa interes nga banka islamike”, u shpreh ministri Ahmetaj në studion e Report Tv.
400 milionë euro do të jetë vlera e donacioneve që do të shkojë për rindërtimin e shtëpive, ndërkohë që gati 250-300 milionë euro, do të shkojnë për riparimin e shtëpive.
“Nuk jam në gjendje t’iu them me cent sa do të shkojnë për shtëpitë, nuk mund ta them, kur të ketë procedurat ndërkombëtare të prokurimit, fondet limite mund të dalin edhe me kursime, për shkak të procesit të hapur ose garës. Për shtëpitë do të ketë një shumë gati 400 milionë euro, vetëm për rindërtimin. Për riparimin është pjesa e granteve, prej gati 250- 300 milionë euro. Dëmi për shtëpitë është përllogaritur 696 milionë euro. Gjithë dëmi do të kurohet në lotin e madh të rindërtimit të shtëpive, dhe të riparimit të shtëpive. Janë të panegociueshme për t’u bërë dhe do të bëhen”, tha Ahmetaj.
Ministri i shtetit për rindërtimin tha se Enti Kombëtar i Banesave ka bërë gati modelin e njësive individuale që do t’i kalojnë njësive zbatuese, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës për të hapur procedurat ndërkombëtare të prokurimit. “Janë mbi 3500 njësi që rezultojnë për t’u shembur, por pas gjithë kësaj shifre ka dhe vazhdon të ketë një proces të vlerësimit të thellimit, ku prezente është edhe prokuroria”, tha Ahmetaj.
Dy njësitë zbatuese të të gjithë procesit do të jenë ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Bashkia e Tiranës, institucione certifikuar nga donatorët.
“Ministria e Shtetit për rindërtimin, koordinon, proceson dhe monitoron ekzekutimin e bëjnë institucione të tjera, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Bashkia e Tiranës, janë autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave të jenë njësitë zbatuese. Sot kaluam një vendim qeverie, ku autorizojmë të dy si njësitë zbatuese për shkollat, që do të riparohen, në koncept rikonstruksioni të thellë. Ato që do shemben do rindërtohen më mirë seç kanë qenë. Në finale do jenë më mirë seç kanë qenë. Do futen edhe elementë të rinj urbanistik apo të rehatisë për nxënësit e studentët”, u shpreh Ahmetaj.
Për ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, suksesi i shumës 1.15 miliardë euro mbledhur për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” në Bruksel, ishte i kryeministrit Edi Rama.
“Suksesi më lejoni ta them pa modesti është i kryeministrit për shkak të sjelljes që ka treguar që nga mëngjesi i 26 nëntorit, ditë dhe natë me të gjithë ata që humbën njerëz të dashur dhe që humbën edhe shtëpitë, kujdesin që u tregua në vazhdimësi, që nga strehimi, dhe kujdesi për të treguar me emergjencë atë fatkeqësi, ne nuk jemi shtet i pasur, pro të krahasosh përgjigjen e strukturave, ka qenë e lavdërueshme, pjesa e kryeministrit po e po, gjithë strukturat e shtetit kanë pasur një përgjigje të motivuar, thellësisht emocionale, të kujdesshme, e pastaj administrative”, tha Ahmetaj.