Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manasatirliu kanë parë nga afër rehabilitimin e plotë të qendrës shëndetësore Ndroq, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
Kjo qendër do t’i shërbejë me standarte bashkëkohore 10 mijë banorëve të Ndroqit dhe është qendra e 40 që rehabilitohet në qarkun e Tiranës në dy vite.
“Janë 180 qendra shëndetësore dhe ambulanca që u rehabilituan me standarde në këto dy vite, falë programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe 120 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca do t’i nënshtrohen rehabilitimit në vitin 2020”, tha Manastirliu.
Në qendrën shëndetësore të Ndroqit kanë qenë të pranishëm edhe një grup mjekësh të sapopunësuar në Ndroq dhe në qendrat e tjera shëndetësore të Tiranës, nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.
“Nuk e mendoja që pas diplomimit, menjëherë do të mund të punësohesha, aq më tepër në Tiranë. Procesi ishte shumë transparent”, u shpreh një nga mjeket e reja.
Vetëm për muajin Janar dhe Shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore, duke përfshirë edhe mjekët specialistë që janë emëruar sipas kontratës me MSHMS në spitalet rajonale, aty ku ishin nevojat për mjekë.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi në qendrën shëndetësore të rehabilituar të Ndroqit, se, me revolucionin digjital, janë më shumë se 59 mijë qytetarë që vetëm nga Janari e deri tani, nuk kanë patur nevojë të paraqiten në sportele për të rinovuar kartën e shëndetit. /e.s/