Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, për të adresuar konfliktin e tij me Presidentin Ilir Meta, për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses. Kreu i shtetit Ilir Meta ka riaktivizuar ditët e fundit sulmet në adresë të Dvoranit me kallëzime, spote dhe akuza për grusht shteti dhe marrje kompetencash.
Në një raport të KED ditët e fundit (para akuzave të reja të Metës) që mban firmën e Dvoranit, ky i fundit i kërkon Kuvendit të ndërhyjë në ligj, për të qartësuar rolin e Presidentit dhe të KED në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur ka më shumë se sa një vend vakant. Dvorani kërkon nga Kuvendi qartësim të ligjit në lidhje me afatet, hapat proceduralë, komunikimin dhe përgjegjësitë e Presidentit në procesin e plotësimit të vendeve vakante.
Në raportin për veprimtarinë vjetore të KED për vitin 2019, Dvorani i kërkon Kuvendit ndërhyrje në ligj edhe për të rregulluar rolin e Avokates së Popullit, Erinda Ballanca në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ballanca, e ndihmuar nga këshilltari i Ilir Metës, gjatë mbledhjeve të KED, është përfshirë shpeshherë në debate me Dvoranin. Për këtë arsye, Dvorani i kërkon Kuvendit që të ndërhyjë dhe të ndryshojë ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, për të rregulluar statusin, pozicionin dhe sjelljet e Avokates së Popullit dhe subjekteve të tjera të ftuara në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Gjatë ditës së sotme, Meta njoftoi se ka dorëzuar prova të reja në SPAK kundër Dvoranit, ndërsa paralajmëroi se do të shpartallojë grushtin e shtetit, të pretenduar prej tij. Kreu i shtetit pretendon se Dvorani veproi me kokën e tij në hartimin, përcjelljen dhe dorëzimin e listave përfundimtare për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që Meta të detyrohej të shkelte Kushtetutën, shkruan “shqiptarja.com”.
Për këtë arsye, Meta nuk dekretoi brenda afatit 30-ditor kandidaten Arta Vorpsi si anëtare të Kushtetueses, duke bërë që të emërohej automatikisht në bazë të ligjit. Por, Meta nuk pranoi të organizonte ceremoninë e betimit, ndërsa emëroi në vend të saj Marsida Xhaferllarin. Për këtë konflikt është vënë në lëvizje Komisioni i Venecias, ndërsa Kuvendi ka miratuar disa ditë më parë disa ndryshime në ligj, duke i hequr Presidentit nga duart mundësinë e bllokimit të betimit të anëtarëve të Kushtetueses.