Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj gjatë debatit në Komitetin Politik të KiEs në Paris,ka kritikuar qëndrimin e deputetes serbe të pranishme e cila foli me gjuhë të ashpër për Kosovën.
Gjatë fjalës së mbajtur Leskaj kërkoi që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës.
Ajo replikoi me palën serbe sa i takon qëndrimit të mbajtur nga deputetja e këtij vendi në lidhje me raportin e prezantuar për Kosovën nga raporteri Agustin Conde.
“Çfarë dëgjova këtu nga kolegia serbe më vë përpara pyetjes nëse gjuha e përdorur në Këshillin e Evropës, kontribuon për paqen dhe stabilitetin, për dialogun,zgjidhjen apo për konfliktin? Unë vij nga një vend ku lojtarët e futbollit të ekipit serb deklaruan se u ndjenë shumë mirë në Shqipëri dhe ndërkohë të njëjtën gjë deklaruan studentët serbë të cilët ndenjën në familjet shqiptare. Unë besoj që nuk duhet të përdorim këto modele për rajonin tonë që sjellin erën e
bashkëpunimit, komunikimit, por është e vështirë të kuptoj gjuhën që u përdor këtu. Unë do të shpresoja se ky nuk është qëndrim zyrtar dhe se nuk jemi këtu t’i tregojmë gishtin njëritjetrit, por do gjejmë mundësitë e të kontribuojmë për dialog, paqe dhe stabilitet te rajoni dhe ky është roli i KiE”, tha Leskaj.