Numri i të arrestuarve nga operacioni “Trajektorja”, ka shkruar në tre. Policia njofton se pas arrestimit të 27-vjeçarit, Astrit Thaçi dhe të dashurës së tij është arrestuar edhe një 26-vjeçar me iniciale F. S, 26 vjeç, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga i riu, të cilat ishin grabitur në agjendarinë në Elbasan.
Ai dyshohet se ka përfituar disa nga sendet e vjedhura nga Thaçi.
Ky i fundit sipas policisë ka qenë i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.
“Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan”, bën me dije policia.
NJOFTIMI
Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Një ditë më parë në Policia e Durrësit arrestoi 20-vjeçaren me iniciale A.B, pasi akuzohet se ka ndihmuar grabitësin Astrit Thaçi, që të mos kapej nga Policia. Mësohet se 20-vjeçarja është e dashura e Astrit Thaçit.
Astrit Thaçi u arrestua nga Policia më 15 shkurt. Ai u arrestua disa orë pasi grabiti një argjendari në qytetin e Elbasanit. Sipas Policisë Astrit Thaçi është një grabitës serial dhe ndaj tij rëndojnë të paktën 8 raste grabitjesh. Po ashtu 27-vjeçari rezulton i dënuar edhe në Itali me 7 vite heqje lirie, pasi edhe në këtë shtet ka kryer grabitje.
g.kosovari