Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në Bruksel.
Në Bruksel, Rama është pritur nga Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.
Në mbrëmje do të ketë edhe një takim informal mes krerëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Bruksel – Pritja nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Takimi “BE dhe Krerët e Vendeve të Ballkanit Perëndimor””, shkroi Rama në mesazhin e tij.
Në këtë takim do të diskutohet problematikat në Ballkanin Perëndimor midis vendeve por edhe metodologjia e re e zgjerimit, e cila prek të gjitha vendet që aspirojnë për në BE.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin dritën jeshile në maj, gjatë samitit të Zagrebit, sa i përket vendimit mbi çeljen e negociatave.
Kryeministri Rama në Bruksel ndodhet edhe për Konferencën e Donatorëve.
Kjo konferencë do të mbahet ditën e nesërme. Fatura e dëmeve nga tërmeti shkon në 1 miliard euro, por qeveria shqiptare, sipas asaj që zbuloi sot ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, shpreson që të paktën donacionet e huaja të shkojnë deri në 300- 350 milion euro.
Në një rast tjetër, nëse do të kenë më pak donacione, qeveria do ta ketë të vështirë për procesin e rimëkëmbes, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.