Pas sinjalit pozitiv që Macron dha dje për hapjen e negociatave në mars, numri dy i PS, Taulant Balla nga Italia shprehet se Komisioni Europian raportoi në tetor në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit.
“Në Kongres një ndër panelet kryesore të diskutimit do të fokusohet tek problematikat që shqetësojnë shqiptarët në diasporë, përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve konsullore, njohja reciproke e kontributeve të sigurimeve shoqërore, dhe sigurisht jetëzimi i angazhimit tonë të kahershëm për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Viti 2020 është historik për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ashtu si edhe në Këshillin Europian në Tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për secilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit”, deklaroi Balla.
E ndërsa opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, Balla shprehet i bindur se ato do të jenë në 2021 me objektiv mandatin e tretë qeverisës.
“Ju keni një rëndësi të veçantë, për të fituar bindshëm mandatin tonë të tretë qeverisës me Edi Ramën Kryeministër” përfundoi Balla gjatë takimit në Bolonja të Italisë me delegatë të Kongresit që përfaqësojnë anëtarësinë e Partisë Socialiste në Itali në Kongresin Zgjedhor të 29 Shkurtit që do të mbahet në Tiranë.
/a.r