Nga Ben Andoni
Shkrimtari gjerman Heinrich Böll u botua që në kohën e komunizmit në Shqipëri. Triptiku i tij, titulluar “Me syrin e një kllouni”, përkthyer mrekullisht nga i ndjeri Ardian Klosi, paraqiti një nga shkrimtarët më të mëdhenj jo vetëm gjermanë por kontinentalë e më gjerë. Por, në fakt, duhej të botohej javët e fundit “Portret grupi me një zonjë” nga “PEGI”, që dashamirët e letërsisë të merrnin një imazh më të mirë të staturës së autorit. Arsyeja është jo vetëm sepse në këtë roman ai ka bërë një zgjidhje të mirë dhe të jashtëzakonshme të së shkuarës gjermane, por ka dhënë një model sesi të shkruash për të shkuarën. Mbas këtij libri mund të kuptosh lehtësisht diferencën e letërsisë sonë dhe autorëve tanë me bashkëkohësinë. Në një paralelizëm të thjeshtë me letërsinë tonë, ti do kuptosh se autorët tanë jo vetëm kanë turp por edhe pazotësi për ta përfshirë të shkuarën e vendit në tematikat e tyre në këtë lloj modeli.
Heinrich Böll e ka bërë me anë të një shikimi interesant të personazheve të veta, por më shumë se kaq në një dinamikë, që të grish dhe të mban të ngërthyer. Nuk ke nevojë pas këtij romani që të lexosh libra të lodhshëm historie për historinë e Luftës së Dytë për Gjermaninë ose më shumë se kaq periudhën e saj të pasluftës, që të kesh fokus. Heinrich Böll të ndihmon me sinqeritetin dhe zotësinë për të dhënë mozaikun e një kujtese të jashtëzakonshme të brezit të tij dhe atij pas tij, por edhe paraardhësve të tij për Gjermaninë. Gërshetimi i situacioneve të personazhit të tij Lenës që kalon paradoksalisht situata të rënda si në luftë, por edhe pas saj, të mjaftojnë të kuptosh më së miri problematikën gjermane. Jo më kot, personazhi i tij, e quajtur Lena Pfeifer, është një nga personazhet më interesantë që ka krijuar letërsi gjermane e pasluftës.
Mjeshtëria në këtë vepër është se nga ana stilistike ai ka bashkuar rrëfimin e tij, me një përdorim shumë të mirë të elementëve të veprës, që duket se në këtë vepër janë disi të shpërpjestuar, por që në fund e kupton se ai me këtë vepër realisht ka arritur në momentet më të larta të krijimtarisë së tij. Duhet të theksojmë se Heinrich Böll ka qenë një autor, që ka pasur qëndrime reale ndaj luftës dhe të gjithë atë që po e kërcënonte njeriun “e ri” gjerman të pasluftës. Vetë shkrimtari e ka denoncuar luftën, duke marrë parasysh jo vetëm pasojat e tmerrshme të saj të pasluftës, por edhe për arsyen e thjeshtë se e urrente këtë lloj mobilizimi që e shpërfytyronte njeriun. Koha i dha të drejtë këtij autori, kurse ditët tona na bëjnë të vuajmë për letërsinë kombëtare që ende nuk po e rrok në planet e veta përballjen me të shkuarën.
Në vepër, galeria e personazheve të veta, por kryesisht heroina e tij e bën historinë e vet përmes dorës së autorit si në një rrëfim filmik: ajo luftën për të drejtat e saj sociale ndihur nga fqinjët, por ndërkohë në të shkuarën na jep historinë e vet përmes ndërthurrjes të shumë situacioneve dhe mënyrën sesi mbijetoje në Gjermani…
“Nga krismat e shumta, varreza ngjante si një fushë stërvitore e ushtrisë, apo sëpaku si një poligon qitjeje. Dihet që një breshëri përshëndetëse lypset të dëgjohet si një shkrehje e vetme-unë vetë në vitin 1917, si mareshall i trupave vullnetare, kam komanduar disa herë skuadrën pushkatare të qitjes së nderit-mirëpo kjo dëshirë nuk plotësohej asnjëherë, më së shumti ngjante me një breshëri qitje apo edhe sikur po provohej një model i ri mitralozi. Po të shtosh këtu edhe bombat që binin herë pas here, përgjigjet e kundërajrorëve, e kupton sesa vështirë e kishin njerëzit e ndjeshëm ndaj zhurmave, por edhe ne, kur hapnim ndonjëherë dritaren dhe nxirrnim hundën jashtë, nuhasnim sakaq aromë baruti, edhe pse të plumbave mësimorë”.
Vetë Heinrich Böll e vendos veten në vetën e parë si rrëfimtari kryesor dhe kjo e bën që të manovrojë lehtë në të gjithë veprën e tij duke qenë një njeri jo vetëm shumë teknik por edhe tejet lehtë të parashtrojë idenë e vet, që e shkuara jetohet duke e rrëfyer shumë hapur. Ndaj personazhet e tij në këtë vepër që rrotullohen rreth Lenës janë jo vetëm të sinqertë por më shumë se kaq janë tejet realë.
Një karakteristikë që duhet theksuar është fakti se libri është tejet i këndshëm dhe me shumë situata humori, një element që e dallon shpesh letërsinë e mirë. Edhe aty ku është tmerri më i madh do të gjesh elementë tejet komikë, por edhe groteskë që e bën jetën në këtë libër të duket si një kaledoiskop i bashkuar kohërash.
“PEGI” duhet falenderuar që na ka sjellë një roman të tillë që i shërben ndihmës, por edhe rrugëve që duhet të prodhohen për të parë të shkuarën. Nga ana tjetër, ky libër mund të shërbejë si laborator krijues për të gjithë autorët që duan të shkruajnë për atë kohë. “Portret grupi me një zonjë” është edhe një mësim për mëtuesit tanë të shumtë të shkrimit se vetëm në këtë udhë mund të shkruash për të shkuarën sot, jo me parabola dhe stigma të lodhshme që janë njëdrejtimëshe.
Përkthyesi i njohur Afrim Koçi ka punuar mirë dhe me përgjegjësi përveç në disa momente, që e tepron në përkthim me fjalë që nuk i shkojnë regjistrit të veprës, por që në fund nuk dëmtohet. Rasti i shkrimtarit Heinrich Böll është një mrekulli sesi një autor mund të jetojë në dy sisteme, falë talentit, ndershmërisë së qënies dhe angazhimit për të njohur veten përmes së shkuarës.
Titulli: Portret grupi me një zonjë
Autori: Heinrich Boll
Shqipëroi: Afrim Koçi
Botimet:PEGI
Faqe: 423
Çmimi:1000Lek