Zhvillimi i miqësores me Kosovën është në rrezik, pasi FSHF ka kërkuar të luhet më 13 nëntor dhe jo më 17. Afrimi i datës ka shumë peshë në rastin e Kosovës, pasi vendi që ende nuk është anëtar i FIFA-s duhet të marrë konfirmimin e kësaj të fundit më parë, duke e njoftuar 21 ditë para zhvillimit të takimit.
Këtë e ka bërë të ditur presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, për Koha Ditore. “Ne kemi njoftuar FIFA-n se më 17 nëntor do të luajmë në Prishtinë kundër Shqipërisë. Dhe ne po presim një përgjigje që pritet të na vijë sot nga FIFA nëse do të lejojë ndërrimin e datës, pra që kjo ndeshje të luhet më 13 nëntor. Sa unë kam informata nga bisedimet me presidentin e FSHF-së, Shqipëria ka përcaktuar miqësore më Gjeorgjinë për datën 16 nëntor”, ka deklaruar Vokrri.
Në deklaratën e bërë nga federata kosovare, thuhet se FFK nuk është kundër datës 13 nëntor, por thjesht nuk varet prej saj, pasi duhet miratuar nga FIFA. Në këtë mënyrë, FFK varet nga organizmi botëror, ose nga Shqipëria, nëse FSHF pranon të luhet më 17 nëntor në Prishtinë.