Policia e Fierit del me deklaratë, lidhur me ngjarjen e ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, ku një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin e mjetit, ka përfunduar në oborrin e një shtëpie.
Bëhet me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm, Paulin Shpani, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH Fier, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz”, në lagjen “Sheq i Madh”, ka humbur kontrollin.
Ai ka dalë nga rruga dhe është futur në oborrin e banesës së shtetasit Soni Meço, 70 vjeç.
Pasi është konfliktuar me pronarin e shtëpisë, ka nxjerë armën dhe e ka plagosur në gishtin e dorës të moshuarin, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Shpani është shoqëruar në policinë e Fierit, ndërsa Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat vijon veprimet proceduariale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/a.r