Një operacion policor i koduar “Zjarrvënësit” ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për djegien e dy makinave.
Pas hetimeve dy mujore nga ana e policisë së Elbasanit u bë e mundur zbardhja e dy ngjarjeve, djegie automjetesh, njëra prej të cilëve ishte në pronësi të një punonjësi policie, zjarrvënie të ndodhura në muajin dhjetor 2019 dhe në muajin janar 2020.
Kështu mbrëmjen e kësaj të marte u arrestuan G. H., 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për plagosje dhe B. R., 20 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton dy të rinjtë janë autorë të dy ngjarjeve kriminale të djegieve të automjeteve në qytetin e Elbasanit.
Ata akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 24 dhjetor 2019, ku rreth orës 21:50, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht në pjesën e përparme, mjeti tip “Benz”, në përdorim nga shtetasi K. K.
Po ashtu dyshohen edhe për djegien e makinës më 9 janar, rreth orës 00:10, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, ku ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Pasat”, në pronësi të shtetasit E. Gj.
Po nga informacionet e marra dyshohet se dy të rinjtë në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer djegie të automjeteve, në qytetin e Elbasanit.
Ndaj tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr ”, kryer në bashkëpunim.
g.kosovari