Me një kërkim të thjeshtë për cmimin e biletave “low cost” nga Tirana për në Berlin, Vjenë, Romë apo Paris sheh se bileta më e lirë fillon nga 30€, pa ushqim të përfshirë, pa bagazhe dhe cdo gram kushton deri në 40€, kështu që duhet të harrojmë dhuratat për të afërmit dhe të shtrengojmë fort xhupin me 2 bluza poshtë veshur. Cdo gjë kushton. Absurdi shkon deri aty sa ka kompani që të faturojnë deri në 15€ check-inin online apo në aeroport, aq sa instiktivisht, ndërkohë që bën procedurën mban një frymë se ndoshta edhe konsumimi i oskigjenit pranë sporteleve të këtyre kompanive do të rrisë faturën.
Kjo panoramë është e rënduar mjaftueshëm në kosto edhe pa konsideruar disa kosto të tjera në dukje të parëndësishme, por realisht ndikojnë të gjithë përvojnë e udhëtimit. Këto kompani “low cost” në shumicën e aeoporteve europiane ku operojnë nuk kanë akses në terminalet kryesore. Pra me fjalë më të thjeshta, mos e dhëntë fati të kesh një biletë tranzit, pasi ke vetëm 30 minuta kohë për të zbritur nga avioni, për të bërë udhëtimin 15 minutësh me autobus, për të kaluar kontrollet dhe për të shkuar në terminalin e fundit të atij aeroporti ku ështe avioni tjetër. Shtuar këtu faktin që kompani vuajnë edhe nga ankesat për mosrespektim oraresh duke bërë edhe më të pakëndshëm udhëtimin me to.
Prakitikisht strategjia e marketingut që ndjekin këto kompani është e tillë hileqare nga e cila klientët “peshkohen” në fillim me cmime në dukje shumë të ulëta, por deri në fund të udhëtimit fatura e tyre është aq e gjatë sa mund të arrijë edhe lartësitë ku udhëtojnë avionët.
Tashmë sa herë më rastis të shoh ndonjë material reklamues të ofertave të këtyre kompanive më vjen në mendje shprehja jonë e vjetër: “Nuk jam aq i pasur sa të blej lirë!”
/a.r