Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim të përzemërt Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Pasi e uroi për marrjen e detyrës së lartë të Kryeministrit dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, të popullit të saj dhe të ardhmes sonë europiane, Presidenti Meta i tha Kryeministrit Kurti se ”Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.
Kreu i Shtetit vlerësoi se marrëdhëniet janë të shkëlqyera e vëllazërore. ”Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”.
Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Kurti, diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese të të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimeve në rajon. Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër”,- tha Kreu i Shtetit, ”janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. “Është e rëndësishme”, vijoi Presidenti Meta, ”që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”.
Presidenti Meta shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë. Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës. /e.s/