Koronavirusi i ri mund të diagnostikohet nga mjekët shqiptarë në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Task Forcës tha se 5 raste të dyshuara me virusin vdekjeprurës kanë rezultuar negative.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit të ri dhe vendi ynë vijon të mbetet vend me rrezikshmëri të ulët. Nga testimi i pesë rasteve të dyshuara që kanë patur një histori udhëtimi në Kinë, analizat rezultuan negative“, tha Manastirliu.
Ministrja deklaroi se po vijohet forcimi i survejancës dhe masat paraprake për parandalimin e koronavirusit të ri.
“Në pikat kufitare ka pasur një fluks të ulët të udhëtarëve të ardhur nga Kina. Janë në total 110 persona që kanë hyrë në Shqipëri të cilët pas kontrolleve rezultuan pa probleme.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe diagnostikimin e koronavirusit të ri që u ka marrë jetën mbi 600 personave, në Shqipëri janë trajnuar rreth 200 mjekë, infermierë dhe ekspertë të shëndetit. Edhe pse nuk ka asnjë rast të konfirmuar, në Spitalin e Infektivit prej ditësh janë bërë gati dhomat e karantinës“, tha ajo.
Gjatë raportimit të masave të marra, drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se është mundësuar diagnoza laboratorike dhe testimi për koronavirusin mund të kryehet në laboratorin e Virologjisë në ISHP me nivel biosigurie dhe i çertifikuar ngga OBSH, ndërsa më tej do të specifikohet edhe diagnoza e koronavirusit të ri.
Ndërsa drejtuesja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, u shpreh se janë menaxhuar me sukses pesë raste të dyshuara që kanë patur një histori udhëtimi në Kinë, nga të cilat dy kanë rezultuar grip dhe asnjëri nuk ka patur koronavirus.
g.kosovari