Prokuroria e Posaçme (SPAK-u) ka regjistruar dosjen e parë të Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin e pasurisë së familjes Hajri nga Shijaku, Altin, Bajram dhe Leonard Hajri. Altin Hajri është në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar të vitit 2020, ndërsa në datë 3 shkurt, ligji Anti-KÇK bëri goditjen e parë në terren me firmën e drejtorit të policisë Ardi Veliu duke sekuestruar kompleksin në pronësi të tij, “Golden” pranë Shijakut.
Veç kompleksit “Golden” u sekuestruan edhe tre shtëpi dhe një pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri. Familja Hajri kishte kohë vetëm 48 orë për të plotësuar formularin mbi justifikimin e pasurisë, por nuk gjë të tillë nuk e ka bërë, ndërsa tashmë me kërkesë të OFL-së dosja është regjistruar nga SPAK-u, që brenda 15 ditëve duhet të bëjë vlerësimet e vendimit të OFL-së që e vendosi masën e sekuestros me firmën e Ardit Veliut dhe të vendosë nëse do ia dërgojë Gjykatës së Posaçme. Nëse SPAK-u ia dërgon gjykatës, kjo e fundit ka 15 ditë kohë për të vendosur. Nëse gjykata vendos konfiskimin, pasuria kalon për llogari të shtetit, shkruan shqiptarja.com.
Për ngjarjen e rëndë të Jan Prengës janë vënë në pranga disa persona, mes të cilëve vëllai dhe babai i Altin Hajrit, Leonard dhe Bajram Hajri. Policia ka dyshime se pengmarrja dhe më tej vrasja e Jan Prengës në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, është bërë për shkak të prishjes së pazareve të drogës, pasi vëllai i Prengës në Angli merrej me trafik kokaine dhe ka cënuar interesat e grupeve kriminale në Shqipëri me bazë në Vlorë, Shijak dhe Shkodër, pjesë e të cilëve dyshohet të jetë edhe Altin Hajri. Teksa i ka shpëtuar drejtësisë në shumë raste, edhe për tentativën e vrasjes së fqinjit të tij pasi dyshohet se nuk i shleu detyrimin për punët hidraulike që ai kreu në kompleksin ‘Golden’ e cila nga 7 vjet në shkallë të parë u rrëzua si dënim nga Apeli.
g.kosovari