“Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin europian. Ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon vullnet politik dhe institucione të përgjegjshme”.
Kështu thotë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili deklaron se SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë thotë ai, si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.
Sipas tij pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK.
Ai shprehet se çdo qytetar shkodran, por edhe partnerët ndërkombëtarë, e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit.
“Nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme”, thotë në mbyllje Gazment Bardhi.
/a.r