Agjentja e OFL ka publikuar sot inicialet e dy personave që u janë dërguar kërkesat me shkrim për të justifikuar pasurinë e tyre.
Ata janë Suel Çelën dhe Plarent Dervishaj dhe që të dy kanë vetëm 48 orë kohë për t’ju përgjigjur pyetjeve të Operacionit Forca e Ligjit, ku kërkohet sqarimi i burimit të pasurisë.
Suel Çela dhe Plarent Dervishaj, sqaroi OFL kanë probleme me ligjin jashtë vendit, ku Dervishaj është nën hetim në Gjermani për trafik të qenieve njerëzore, ndërsa Suel Çela, është i dënuar në Itali, për trafik droge.
NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, sot më datë 6 shkurt 2020, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– P. D., me banim në Durrës, pasi rezulton në hetim në Gjermani për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.
– S. Ç., me banim në Elbasan, pasi rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Suel Çela dhe Plarent Dervishaj
g.kosovari