Procesit të vettingut po i nënshtrohet edhe Komandianti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, i cili ka treguar bashkëpunim të plotë.
Mësohet se trupa e Vlerësimit është e përbërë nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska, Artur Baku, ndërsa vetë Gramoz Sako është paraqitur në seancë pa përfaqësues ligjor.
Ndërkohë, Sako është një oficer karriere në Gardën e Republikës, i cili referuar dosjes përkatëse nuk ka shënuar asnjë shkelje përgjatë të gjithë kohës që ka ushtruar këtë funksion.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij para KJV, Sako është shprehur se “Gjatë këtij procesi jam treguar i gatshëm të bashkëpunoj çdo herë që më është kërkuar të jap shpjegime dhe të paraqes prova e të dhëna duke respektuar të gjitha afatet e përcaktuara. Kam mbledhur e paraqitur çdo provë aq sa kam mundur, që sipas meje janë të plota. Në asnjë rast nuk kam hezituar të hetohem si subjekt që prej vitit 1993 e deri aktualisht.”.
Ndërkohë edhe sa i takon aftësive profesionale, Sako është vlerësuar pozitivisht.
Vetë Sako ka treguar se gjatë punës së tij ai ka rrezikuar edhe jetën, ndërsa përmendi edhe një rast ku makina me të cilën udhëtonte si shoqërues i ministrit të Brendshëm, është qëlluar me 25 plumba.
“Sa i përket integritetit deklaroj se kam kryer me përkushtim dhe ndershmëri detyrën duke rrezikuar edhe jetën. Në Shtator 1998 makina e Ministrit të Brendshëm me të cilin udhëtoja si shoqërues i tij, u godit nga 27 plumba. Deklarimet e mia kanë qenë të sakta dhe për të gjitha këto kam sjellë materiale provuese të ligjshme.”-është shprehur Sako.
Po ashtu ai ka theksuar gjatë viteve që ka qënë në krye të Gardës së Republikës, nuk është konstatuar asnjëherë me shkelje.
“Gjatë viteve në krye të Gardës së Republikës jam inspektuar nga organe të ndryshme ligjzbatuese audituese dhe nuk ka patur asnjë rast në të cilin jam gjetur në shkelje apo ka patur dëm ekonomik nga institucioni që drejtoj.”-ka deklaruar Gramoz Sako.
Po ashtu, Sako ka folur edhe në lidhje me shitjen e një automjeti, për të cilin tha se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
“Në lidhje me konstatimet tuaja për shitjen e automjetit dua të sqaroj se kam ndjekur të gjitha procedurat ligjore për blerjen dhe shitjen e tij.
Nuk janë marrë për bazë të ardhura të deklaruara në tatime për mua dhe bashkëshorten në sektorin privat dhe janë shtuar shpenzimet në dëmin tim.”-është shprehur Sako.
g.kosovari