Kryetari i PD, Lulzim Basha ka qenë në Qytetin Studenti për të takuar disa studentë që jetojnë në konviktet në Tiranë një natë më parë, por thotë se është përballur me një situatë të papritur. Me anë të një postimi në rrjetin ë tij social Facebook, Basha rrëfen se kur ai ka mbërritur në godinë është takuar me një punonjëse të konviktit, e cila I ka kërkuar të largoheshin.
“Ngjarjet e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria. Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona. Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne.
Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve. Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart”, shkruan Basha, teksa ka edhe një thirrje për ata që thotë se merren me kërcënime dhe frikësime.
“Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t’ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll. Për mua politikanët duhet të jenë shërbëtor të popullit, jo e kundërta. Prandaj nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata.
Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike. Ju bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që ti vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre”.