Një spiun i Sigurimit të Shtetit në kohën e socializmit, i njohur me pseudonimin Belini, punon aktualisht në Televizionin Shqiptar. Këtë e ka deklaruar ish-punonjësi i Sigurimit, Luan Pobrati.
I përfshirë në debatet rreth përdhumit të Alida Hiskut, Pobrati i quan budallallëqe akuzat se femrat përdhunoheshin në biruca nga ana e punonjësve të Sigurimit.
Vetë ai thotë se është përmendur nga dikush që punon aktualisht në TVSH, i cili, sipas Pobratit, ka qenë vetë sigurims dhe mbante pseudonimin “Belini”.
Pobrati ndërkohë tregon edhe një detaj me Todi Lubonjën, në kohën që ai ndodhej në burg.
“Pretendimet për përdhunime janë budallallëqe! Kam parë këto kohë dikë në shtyp, i cili guxonte të më merrte nëpër gojë e më fyente për gjithëçfarë mund të pjellë subkoshienca e mbingarkuar e një njeriu, që ndërsa gjendet vetë i përfshirë brenda rrjetit agjenturor të ish Sigurimit, ndjehet i lehtësuar kur aludon e akuzon të tjerë.
Kaq do të them kësaj radhe, për ta lënë “Belinin” të qetë në rrugëtimin e tij muzikor, duke vazhduar si deri më sot t’i përcjellë krijimtarinë përmes emisioneve të TVSH-së, në ekranin e të cilit ai shfaqet shpesh këto kohë; pa penguar të drejtën e askujt, që po të dëshirojë më shumë, tani që kemi ligjin e hapjes së dosjeve, të vejë e të njihet me të.
Por, t’i rikthehemi problemit në diskutim: Në dijeninë time pra, nuk ka pasur abuzime. Gjatë 15 vjetëve në shërbimet sekrete, kam pasur rastin të shkoj në biruca një herë dhe, jo vetëm për kuriozitet po e tregoj:
Ishte viti 1977. U gjenda në korridor, përballë drejtorit të brendshëm, i cili më mori pas vetes pa më thënë ku do të shkonim. Hipën në makinë dhe diku ndaluam. Para nesh, u paraqit një ushtarak. Kuptova se ndodheshim në një burg, ku mbaheshin personat nën hetim. Pasi u bënë formalitetet, hymë brenda.
Ushtaraku hapi qelinë e parë, ku u ngritën në këmbë dy të burgosur. Drejtori pasi i pa në sy, kaloi. Kështu ndodhi edhe në qelinë e dytë. Nga errësira, me zor më kthjellohej shikimi. Në qelinë e katërt, personi brenda u ngrit në këmbë, por nga nxitimi i ranë pantallonat. Atëherë dhe sot, në qeli nuk lejohej të mbahej rrip mesi.
Personi brenda qelisë, kur pa drejtorin e brendshëm, të cilin e njihte, neglizhoi mungesën e rripit ndaj pa dashur pantallonat i ranë. Duke i ngritur, për t’u justifikuar, ai thotë me zë të lartë: “Më fal o burrë, se më ranë dhe këto të shkreta pantallona”.
Fjala e tij, kishin brenda pak ironi. Drejtori i brendshëm ishte hazërxhevap. Me pak humor edhe ky, por gjithsesi me ironi, iu përgjigj të burgosurit menjëherë: “Për këtë botë luftoje zotrote, të rrije pa brekë!”.
Për momentin s’e mora vesh batutën. Por kur dolëm në oborr, drejtori më thotë: “E njohe kush ishte?” “Jo”,-i thashë”. “Todi Lubonja” – tha prerë ai.
Ky është rasti i vetëm kur gjatë punës time kam vizituar një burg. Historinë e mësipërme kam pasur mundësinë t’ia kujtoja të ndjerit Todi Lubonja, kur rasti e sillte të pinim së bashku ndonjë kafe. Me mençurinë e tij, ai qeshte, por në sytë e Todi Lubonjës ndjeja dhimbja për gjithçfarë kishte ndodhur…”, thotë Pobrati.
TEMA