Kreu i Grupit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi pas takimit me delegacionin e Bashkimit Evropian se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të mbahen në qershor të vitit 2021, ndërsa ato vendore më 2023.
“Zgjedhjet në Shqipëri janë në qershor të 2021, ato të përgjithshme, zgjedhjet vendore i bie të jenë në qershor të 2023. Nuk kemi diskutuar për këtë çështje”, tha Balla.
Më tej, numri dy i PS theksoi se ka diskutuar me delegacionin e BE për nevojën e zgjedhjes së kryebashkiakëve në tre bashkitë e vendit, Shkodër, Durrës dhe Vorë, pas largimit të kryebashkiakëve të 30 qershorit, të cilët u prekën ngë ligji i Dekriminalizimit.
“Pjesë e këtij diskutim ka qenë edhe fakti që Presidenti për tre bashki, për të cilat mandati i kryebashkiakëve ka mbaruar, Shkodër, Durrës e Vorë, bazuar dhe në parashikimet e Kushtetutës, të përcaktojë brenda kohës së mundshme, sa i përket Durrësit dhe Vorës jemi në kushtet e emergjencës civile, dhe sapo emergjenca të ketë përfunduar Presidenti të ketë dekretuar datën për zgjedhje.
Venecia ka dhënë përgjigje shteruese lidhur me kushtetueshmërinë e 30 qershorit. 30 qershori është një datë kushtetuese, zgjedhjet janë po aq kushtetuese dhe të gjitha organet e dalë prej tyre janë ligjore dhe vijojnë punën e tyre për një mandat 4-vjecvar, që përfundon më 2023. Qytetarët e Shkodrës, Durrësit e Vorës sa më shpejt të jetë e mundur t’iu japim të drejtën që përmes votës të kenë kryebashkiakun. Kryebashkiakja e Shkodrës është përtej mandatit 4-vjeçar”, deklaroi ai. /e.s/