Kryeqyteti ende nuk ka një sallë koncertale që do të ishte në shërbim të institucioneve, e që njëherësh do të ishte në adresë edhe për artdashësit. Në këtë mënyrë koncertet vazhdojnë të mbahen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në katedrale, nëpër kisha, dhe salla të tjera të improvizuara. Gropa e hapur në vitin 2009 pranë Fakultetit Teknik për Shtëpinë e Operës dhe Baletit, nuk u kthye në objektin e destinuar. Derisa artistët presin realizimin e premtimit se në qendër të Prishtinës ndërtohet ky objekt, dhe jo aty ku ishte menduar vite më parë, në Ministrinë e Kulturës thotë se ky institucion për sivjet ka planifikuar studimin e fizibilitetit dhe projektin, dhe për këtë janë paraparë 200 mijë euro.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se pas gjashtë viteve dështim, çështja e sallës koncertale është aktualizuar, sërish me premtime, por që kësaj radhe do të shkohet me plane reale, objektive, të mundshme. “Shpresojmë në këto premtime të Ministrisë së Kulturës dhe të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Jashari për “Zërin”, duke shtuar se Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës kanë marrë një iniciativë për riaktualizimin e çështjes së sallës koncertale pasi, siç dihet në vitin 2009 ka filluar një projekt i cili sivjet është vlerësuar si i dështuar.