Zbulohet e shkuara kriminale e 47-vjeçarit të arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vlorë.
Bardhosh Mino (Lytaj), njihej si person me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që prangosja e tij u bë për llogari të drejtësisë greke.
Më konkretisht ai akuzohet për vrasjen e dy turistëve anglezë në afërsi të Patrës në Greqi, në vitin 1998, ngjarje për të cilën është dënuar me burg përjetë.
Po ashtu ai është dënuar me 6 vite burg për trafik droge nga Gjykata e Kretës. Jo vetëm kaq por ai është dënuar nga Gjykata e Korfuzit me pesë muaj burg, për vjedhje të energjisë elektrike.
I dyshuari ishte shpallur në kërkim në shtator të vitit 2019, pasi Prokuroria e Vlorës ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të 6 gushtit 2019 të Gjykatës së Vlorës, mbështetur edhe nga të dhënat e dërguara nga shteti grek, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Lytaj akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”, “Grabitje në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorim i paligjshëm i armës”, “Zotërim dhe transportim i një sasie të madhe të lëndëve narkotike”, dhe “Falsifikim”, të parashikuara sipas kodit Penal të shtetit Grek.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
/a.r