Zv/ ministri i Brendshëm Julian Hodaj paralajmëroi se sot do të zhvillohet aksioni i radhës nga OFL-ja (Operacioni Forca e Ligjit) për sekuestrimin e pasurisë së vendosur nga krimi. Por kush do ta ketë sot radhën pas Hajrajve të Shijakut që u goditën dje?
“Nesër (sot) do të ketë një tjetër aksion” tha Hodaj në Open. OFL-ja e nisi nga Shijaku dje duke sekuestruar veç kompleksit “Golden” edhe tre shtëpi dhe një pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri. Lista e parë në duart e OFL-së përfshin 150 subjekte, ndërsa në total deri më tani janë 250 subjekte në verifikim paraprak.
“Menjëherë pas sekuestrimit të pasurisë të elementëve kriminale, mund të përdoren nga institucionet” tha Hodaj. Tashmë këto pasuri i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve e cila është në varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Sipas OFL, pas konfiskimit përfundimtar që vendoset nga Gjykata Speciale 15 ditë pas kalimit të dosjes pasurore të pronarit të objektit në SPAK, është Ministria e Brendshme që vendos nëse ai do të shembet apo do të shfrytëzohet si aset publik.
Në orën 10:30 zyra e shtypit njofton se do të ketë një deklaratë për shtyp lidhur me operacionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.