Dy javë pas grabitjes dhe plagosjes së çiftit Petrit dhe Afërdita Laze në zonën e Alliasit në Tiranë, policia ka vënë në pranga një nga autorët e ngjarjes, ndërsa është shpallur në kërkim një person tjetër.
Në kuadër të operacionit të koduar “Mjegulla” u arrestua shtetasi F. M., 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit M. C., si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020. Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.
/a.r