Teksa Altin Hajri është në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar të vitit 2020, ligji Anti-KÇK ka bërë goditjen e parë në terren, duke sekuestruar kompleksin në pronësi të tij, “Golden” pranë Shijakut.
Shqiptarja.com shkruan se janë sekuestruar nga efektivët e “Operacionit Forca e Ligjit”, veç kompleksit “Golden” edhe tre shtëpi dhe 1 pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri.
Sipas ligjit Anti-KÇK, kjo është goditja e parë ndaj pasurive të grupeve të dyshuara kriminale që vjen drejtpërdrejt me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pas kërkesës së Operacionit Forca e Ligjit.
Brenda 24 orësh dosja e policisë më tej do të kalojë në filtrin e SPAK. Sipas ligjit, prokuroria brenda 15 ditësh bën vlerësimet dhe e dërgon dosjen në gjykatë për masën e sekuestros nëse verifikimet e policisë, dhe pasuria është vënë nga burime të paligjshme dhe të pajustifikuara.
Më tej po brenda 15 ditësh nga kërkesa e SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, në Dhomë Këshillimi shprehet me vendim, i cili është i ekzekutueshëm menjëherë.
Po ashtu, të njëjtat burime konfidenciale thanë se lista e parë në duart e OFL-së përfshin 150 subjekte, ndërsa në total deri më tani janë 250 subjekte në verifikim paraprak.
/a.r