Teksa u njoftua për marrëveshje mes VV dhe LDK, duket se akoma nuk është zgjidhur gjithçka.
Vjosa Osmani, e cila ishte kandidate për kryeministre nga ana e LDK gjatë zgjedhjeve, është përplasur me krerët e partisë rreth mënyrës se si kanë vendosur t’i ndajnë postet qeveritare. Vjosa Osmani e kishte kërkuar pozitën e Ministres së Punëve të Brendshme dhe atë të Zëvendëskryeministres. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak se Isa Mustafa ka anuar në drejtim të Agim Veliut. Ajo ka paralajmëruar se nuk e pranon pozitën e Kryetares së Kuvendit.
Ndërkohë, kur kishte përfunduar procesi elektoral, zyrtarët e LDK’së kishin thënë se Vjosa Osmani do të zgjedhë se ku dëshiron të shkojë në pozitat insitucionale. Mirëpo, për shkak të zhvillimeve të fundit, duket që ky premtim nuk është mbajtur.
Ndërkohë, LDK në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka vendosur që Avullah Hoti do të jetë Zëvendëskryeministër.
Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes. Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë. Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre të Kulturës, derisa Lumir Abdixhiku për Ministër të Infrastrukturës.
Ndryshe, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.
Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin. Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se e kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.
Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili pritet të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa, Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuiar Rozeta Hajdarin. Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit./Gazeta Express