Sheshet u boshatisën nga njerëzit dhe pallatet e politikës janë mbyllur për fundjavë në këtë të shtunë fillimshkurti që shënon ditën e parë të Britanisë së Madhe jashtë Bashkimit Europian, pas zyrtarizimit të Brexit, që mbylli një faqe historie dhe 47 vite martese të padëshirueshme me Brukselin.
Ndërkohë, është media ajo që tregon emocionet mes gëzimit, dyshimeve dhe titujve që zenë gjithë faqen e parë të gazetave.
Toni që mbizotëron, në një vend që u gjet i ndarë nga referendumi i 2016-ës, është ai optimist. Sidomos në tabloidet tradicionalisht pranë opinioneve publike më euroskeptike.
SUN
“Më në fund po ikim nga Bashkimi Europian” shkruan me tone të gëzueshme ”The Sun” e Rupert Murdoch, që bën edhe lojë fjalësh me moton e njohur pacifiste “Make Love, Not War” (”Bëni dashuri, jo luftë”) duke e ndryshuar në ”Make Leave, not war” (”Ikni, jo luftë”).
DAILY EXPRESS
Gazeta ”Daily Express” nga ana e saj tregon imazhet e një qielli në agim duke rimarrë metaforën e ditës së Brexit të kryeministrit Boris Johnson mbi “agimin e një fillimi të ri” për Britaninë e Madhe.
”Lind dhe shkëlqe mbi një Britani të Madhe të re dhe të lavdishme”, i drejtohet Johnson në mënyrë emfatike diellit, sipas ”Daily Express”.
DAILY MAIL
Në mënyrë të habitshme ”Daily Mail” i kushton vëmendje koronavirusit.
TIMES
”Times” shkruante thjesht ”Lamtumirë Bashkimit Europian”.
FINANCIAL TIMES
”Financial Times” u kufizua me titullin ”Britania e Madhe i preu deri në fund lidhjet me Bashkimin Europian”.
”Britania e Madhe është tani një vend i tretë, ndërkohë që Brukseli humbi për herë të parë një copë”, shkruan ”Financial Times”.
GUARDIAN
Një tis keqardhjeje shfaqet më në fund nga ”Guardian” dhe ”Independent” për ata që donin të qëndronin në Bashkimin Europian.
“Dita kur thamë mirupafshim” shkruan ”Guardian” duke shfaqur një flamur të BE-së dhe një koment të Jonathan Friedland, i përqëndruar mbi ”paqartësitë e së ardhmes britanike”.
INDEPENDENT
Ndërkohë, ”Independent” shpreh gjithë konfuzionin me një pyetje të thatë: ”Po tani?”.
/a.r