Policia e veshur me rroba speciale është mbledhur dje rreth trupit të një burri që është gjetur i vdekur në rrugët e qytetit kinez Wuhani epiqendra e epidemisë së virusit vdekjeprurës.
Burri ishte rrëzuar dhe pas kësaj ka ndërruar jetë në vend. Ai kishte pasur maskë mbrojtëse, në momentin që u rrëzua dhe ra përtokë. Qyteti me 11 milionë banorë kinez është aktualisht në karantinë shkruajnë mediat e huaja.
Personeli mjekësor, nën masa të rrepta të sigurisë mbështollën trupin me batanije para se policia ta mbulonte me kuti druri. Kjo u bë që kalimtarët të mos shqetësohen nga pamja e rëndë. Ekipet shëndetësore më tej dizinfektuan vendin ku u gjet trupi i pajetë. Mediat lokale thonë se koronavirusi ka bërë që burri të vdesë.
Wuhani është epiqendra e epidemisë së koronavirusit të ri, që besohet se ka kaluar tek kafshët e egra në një treg në qytet, tek njerëzit. Virusi u shfaq në ditët e fundit të vitit të kaluar dhe tashmë ka marrë 213 jetë njerëzish dhe ka infektuar mijëra në kinë. 159 viktima janë regjistruar vetëm në Wuhan. Në total në kinë janë rreth 10 mijë raste të konfirmuara ndërsa organizata botërore e shëndetësisë, që shpalli edhe emergjencën globale, thotë se janë edhe 98 raste të konfirmuara në 18 vende të tjera.