Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula u përball dje me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas përfundimit të hetimit për të në të tre kriteret e rivlerësimit. Relatorja e çështjes e nisi relatimin me raportin e dorëzuar nga ILDKP, në të cilin gjyqtarja vlerësohej pozitivisht.
Por Komisioni pas një hetimi të thellë administrativ i rrëzoi pjesërisht konstatimet e ILDKP-së, duke bërë me dije se janë konstatuar mungesë burimesh, mospërputhje mes deklarimeve dhe dokumentacionit dhe pasaktësi. Konkretisht, për ndërtimin e një shtëpie tre katëshe në Kavajë, gjyqtarja si burim krijimi kishte deklaruar të ardhurat nga bashkëshorti si emigrant, kredi, të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortit dhe të ardhura të përfituara nga shitja e pasurive të paluajtshme. Shedula ka deklaruar se banesa ka nisur të ndërtohej në vitin 1995, në kohën kur ende nuk ishte martuar, ndërsa banesa ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2010, dhe në këto vite, gjyqtarja ka deklaruar shpenzimet në tre periudha të ndryshme.
Lidhur me deklaratat, KPK ka konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të vitit 2003 dhe atyre në veting, lidhur me ndërtimin e banesës deri në vitin 2003. Relatorja tha se Shedula ka shpjeguar për këtë gjetje se është martuar në vitin 2001 dhe se një vit më vonë ka filluar të kontribuojë financiarisht në familjen e re. Në seancën e djeshme, gjyqtarja tha se për burimin e kësaj ndërtese s’ka pasaktësi thelbësore dhe se nuk mund të jenë të njëjta deklarimet e vitit 2003 për këtë pasuri me ato të deklaratës veting, pasi godina nuk ishte përfunduar.
Problemet në kreditë e marra
Kreditë e marra nga gjyqtarja gjithashtu rezultuan me probleme. Sipas relatores, Shedula ka deklaruar se kreditë i ka marrë për të investuar në banesën tre katëshe, ndërkohë që në dokumentacion rezulton se janë marrë për arsye biznesi. Po ashtu, Shedula ka deklaruar se janë marrë dy kredi, ndërkohë që KPK ka konstatuar se janë 4 kredi, të marra nga gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj. Relatorja tha se Shedula ka deklaruar se i ka marrë për aktivitet pasi banka nuk i jepte për shtëpi. Në shpjegimin e saj në seancë, gjyqtarja tha se ndryshimi i destinacionit nuk përbënte shkelje, pasi edhe oficeri i kredisë interesohej vetëm për shlyerjen, gjë që sipas saj e kishin kryer. Lidhur me analizën financiare, KPK e ka ndarë analizën në periudha, pasi dhe vetë gjyqtarja e ka deklaruar me periudha ndërtimin e shtëpisë. Si përfundim, për periudhën 1994-1996 Komisioni konstaton mungesë të burimeve të ligjshme, për periudhën 2000-2002, pamundësi financiare në vlerën -1 milion lekë, po ashtu edhe për periudhën 2006. Ndërsa për periudhën e përfundimit, u konstatua bilanc pozitiv. Nga ana tjetër, DSIK e vlerësoi pozitivisht gjyqtaren. Ndërsa një gjetje u konstatua në kriterin e profesionalizmit, saktësisht një rast kur gjyqtarja kishte zgjatur shqyrtimin e një çështje për 11 muaj, duke shkelur afatet e përcaktuara. Por gjyqtarja e argumentoi këtë vonesë me ngarkesën e madhe në punë.
Xhelili dhe Muça përballë KPK
Ndërkohë sot, KPK do të ketë një ditë të ngjeshur. Pasi të japë vendimin për gjyqtaren Shedula, në orën 10 do të zhvillojë një seancë dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili. Ndërsa, në orën 12:30, do të zhvillohet seancë dëgjimore për gjyqtaren Miliana Muça. Kjo e fundit prej vitesh ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por pas shkrirjes së këtij institucioni, gjyqtarja Muça kaloi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.