Në një kohë kur koronavirus ka marrë 81 jetë njerëzish në Kinë, ndërsa raste të reja janë shfaqur në SHBA dhe Europë, natyrshëm, lind pyetja nëse është Shqipëria e rrezikuar? E ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pohoi se vendi ynë nuk hyn tek vendet me rrisk.
Ajo theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i bërë ballë këtij virusi, nëse ndodh që të evidentohen raste. Manastirliu tha se fakti që me Kinën nuk ka linjë direkte, theksoi se ka filtra mbrojtës, pasi udhëtarët që vinë nga ky vend kalojnë në ‘skaner’ në Itali apo dhe Turqi.
“Do doja që të bëja një hyrje paraprake për të treguar situatën, menaxhimin e saj dhe parapërgatitjen nëse do vijë një situatë e tillë. Shqipëria për fat të mirë është vend me risk të ulët për koronaviorus. Ne nuk kemi linja direkte me Kinën. Ky është një filter i parë që pengon marrëdhënien direkte të pasagjerëve psh- tiranë-Pekin. Jemi një vend me risk të ulët, për arsye të filtrave që bëhen më parë, në Itali, apo në Stamboll. Ka një sistem karantine për ato vende që me risk të mesëm.
Qeveria shqiptare, ministria, ka marrë masat që në momentet e parë, ne jemi pjesë e OBSH-së. Shqipëria nuk është më një nga ato vendet që një situatë emergjence që e gjen të papërgatitur. Ajo organizohet njësoj si vendet e tjera. Qoftë në burimet njerëzore, sa i takon trajnimeve. Pasi në rastin konkret menjëherë sapo OBSH ka nxjerrë udhëzuesit e vet, ne nxorëm urdhër për të marrë masat dhe për të bërë studime. Ekspertët kanë trajnuar ato persona që qëndrojnë dhe realizojnë filtrin. Psh në aeroportin “Nënë Tereza” kemi pajisje të tilla, si termometrat me lazer. Çdo protokoll realizohet në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Ne kemi një shkallë të riskut të ulët. Me linjat ajrore, njoftohen strukturat e ministrisë dhe aty bëhen filtrat e parë. Në momentin e vendosjes së këtij protokolli, ne kemi vendosur linja komunikimi kemi vendosur linja protokolli për të na informuar për pasagjerët që vinë tranzit. Jemi me të gjitha linjat në dispozicion në raport me personat që udhëtojnë tranzit.”, tha Manastirliu.