25 drejtues makinash janë arrestuar në flagrancë gjatë kontrolleve të policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve në vetëm 48 orë. 10 janë vënë në pranga për drejtimin e makinës në gjendje të dehur, ndërsa 15 të tjerë pasi i jepnin makinës pa pasur leje drejtimi.
1033 punonjës të Policisë Rrugore u angazhuan gjatë 48 orëve të fundit, duke kryer edhe shërbime suplementare, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore në fundjavë.
“Nga kontrollet e ushtuara me drager e radar, në të gjithë vendin, për 48 orë janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga këto: 31 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 131 leje drejtimi për drejtim mjeti me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar dhe 30 leje drejtimi për shkelje të ndryshme që kanë si masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit.
Gjithashtu, po gjatë fundjavës janë vendosur gjithsej 5098 masa administrative, nga këto: 316 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 47 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 626 për përdorim të celularit, 2578 për parkime të gabuara dhe pushim mjeti në kundërshtim me Kodin Rrugor, 282 masa për shpejtësi e manovra në rrugë, 52 për mungesë figuracioni, si dhe 1197 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, gjatë fundjavës janë bllokuar edhe 27 automjete, si dhe një automjet i vjedhur, ku dhe u prangos nga Policia Rrugore e Elbasanit personi që kishte vjedhur automjetin“, njofton policia.
g.kosovari