Tre të vdekur për Halloween në Bronks të Nju Jorkut, midis tyre një 24-vjeçar shqiptar, i cili u sakrifikua për të shpëtuar motrën e vogël. Festa u kthye në tragjedi kur një makinë “kaloi” mbi një grup fëmijësh dhe prindërit e tyre. Edhe një 21-vjeçare shqiptare është midis të plagosurve, raporton Shekulli.
Kristian Leka, 24 vjeç, humbi jetën për të shpëtuar motrën e tij të vogël Fiona, 10 vjeç. Ai u godit nga makina fatalisht dhe u deklarua i vdekur nga mjekët gjatë rrugës për në spital.
“Makina doli shumë shpejt nga rruga dhe ai e shtyu të motrën duke i shpëtuar jetën asaj”, tha xhaxhai i tij, Lulash Leka, 64 vjeç, për gazetën “Daily News”.
Motra e vogël, Fiona Leka, 10 vjeçe, ka mbetur me një krah të thyer, por është jashtë rrezikut për jetën.
Zyrtarët e policisë nga Nju Jorkut thonë se incidenti ndodhi dje pasdite gjatë festimeve të Hallouinit në një lagje të Bronksit, Morris Park (një nga lagjet më të populluara me shqiptarë).
Dëshmitarët thonë sipas shtypit lokal se makina e tipit “Dodge”, e drejtuar nga 57-vjeçari Howard Unger, kaloi me shpejtësi përmbi makinat e parkuara, duke u përplasur në fillim me një prej tyre, ndërsa më pas doli nga rruga në trotuar deri sa u ndal mbi një gardh.