Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se është pro ndryshimit të sistemit dhe listave të hapura. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi tha se listat e hapura mund të humbasin votat e partisë, por nga ana tjetër rrisin konkurrencën mes kandidatëve për deputetë.
Monika Kryemadhi tha se tryeza për reformën zgjedhore pas marrëveshjes politike për të bërë pjesë edhe opozitën jashtëparlamentare, në të ardhmen mund të shërbejë edhe për diskutime të tjera, sa i takon hapave për zgjedhjet e reja, por edhe për ndryshimin e Kodit Penal. “Kjo do të shihet”, tha Kryemadhi “nëse jep produktivitet me reformën zgjedhore“.
“Reforma krijon hapësirën për të diskutuar edhe rregullime të ligjeve të tjera duke filluar tek kodi penale, agjenda e parë e kësaj tryeze dhe do të shohim sa produktive do të jetë, kjo tavolinë mund të vazhdojë edhe me diskutime të tjera, sa i përket hapave për zgjedhjeve të reja”, tha Kryemadhi.
Por për Kryetaren e LSI-së, debati për ndryshimin e sistemit është një lojë e Edi Ramës.
“Ndryshimi i sistemit nuk është pjesë e nëntë kushteve të Bundestagut, apo i rekomandimeve të OSBE-së. Të flasësh sot për ndryshimin e sistemit është një lojë e Edi Ramës. Çfarë do lloje kërkesash të ketë LSI, PD kërkon sistem mazhoritar në të gjitha zonat dhe për këtë duhet pyetur vetëm një njeri për ndryshimin e sistemit është Edi Rama. Ne nuk i kemi votat, vetëm Edi Rama i ka votat për ta ndryshuar sistemin”, tha Kryemadhi.
g.kosovari