Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thekson se opozita u ul në tryezë për të mos bërë asnjë ndryshim. Sipas tij, PD dhe LSI kanë bërë vetëvrasje politike, ndërsa thekson se produkti që do të dalë nga tryeza e reformës do të jetë thjeshtë një arnim i Kodit Zgjedhor.
Kthimi i PD në tryezë diskutimi, për ish-nënkryetarin e saj, Astrit Patozi është një zhvillim pozitiv. Por ajo që dje u qartësua sipas kreut të Bindjes Demokratike është se ajo tryezë nuk do të sjellë asnjë ndryshim.
“Opozita jashtë parlamentare është ulur dje në tryezë duke pranuar në mënyrë të tërthotë një gabim të vetin, është ulur që të mos i ndryshojë gjërat”, tha Patozi.
Sipas Patozit nga ana e opozitës nuk ka asnjë reflektim për gjithë rrugën që ka ndjekur, ndaj asaj i faturon kosto të madhe politike.
“PD dhe LSI kanë bënë vetëvrasje politike. Të njëjtët njerëz që dorëzuan mandatet politike, janë të njëjtët njerëz që bërtasin fitore edhe tani, kjo ka një kosto e cila është në anën e opozitës”, u shpreh Patozi.
Pritshmëritë nga takimet e ardhshme për reformën zgjedhore kreu i Bindjes Demokratike i ka minimale.
“Produkti që do të dali nga ajo tryezë do të jetë një arnim i kodit elektoral dhe ne do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me të njëjtat rregulla”, tha më tej Patozi.
Ai shprehet i bindur se shit-blerja e votës nuk do të marrë asnjë zgjidhje dhe politika do të vijojë të jetë e njëjtë edhe pas kësaj tryeze, shkruan “tema”.
“Nuk shpresoj që pas kësaj do të ketë një klimë të re në sjelljen politike të partive kryesore në Shqipëri”, sqaroi kreu i Bindjes Demokratike.
Mazhoranca dhe opozita janë të dakordësuara që brenda muajit mars të përfundojnë draftin.